Listat e mbyllura bllokojnл demokracinл

May 22, 2017 | Autor: Ledian Droboniku | Categoria: Equality, Electoral Systems, Democracy, Liberty, Albania
Share Embed


Descrição do Produto

Listat e mbyllura bllokojnë demokracinë

Përgjigje artikullit të një miku tim aq të vjetër sa dhe debatet tona.
Sigurisht një prej debateve më të diskutuara nga këto anë që përpëliten mes
demokracisë dhe autokracisë është dhe ai mbi sistemin elektoral dhe
specifikisht natyra e listave të kandidatëve.
Me të drejtë përmendet se nuk ka një zgjidhje panacea për identifikimin
abstrakt të një sistemi konkret. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse sistemi
elektoral, edhe pse i rëndësishëm, është vetëm një institut që gjen jetë
brenda një jete më të madhe që është shoqëria dhe shteti.
Vizioni që duhet të udhëheqë një studiues social, është ai holistik duke e
parë shoqërinë dhe shtetin si një organizëm i gjallë, dhe jo thjesht si
tërësi institutesh të ndarë nga njëri tjetri.
Metoda krahasimore është sigurisht e rëndësishme nëse realizohet edhe ajo
në mënyrë holistike, jo thjesht mbi kushtetutën formale por edhe atë
materiale, mbi jetën e gjallë institucionale të atyre shteteve që kanë
zgjedhur të zbatojnë këtë apo atë sistem. Transplantimi i sforcuar i një
organi në një organizëm tjetër, mund të shihet si "mish i huaj" dhe
shkakton reaksion për organizmin mikpritës. Pra metoda krahasimore ka vlerë
vetëm përshkruese dhe jo diktuese, sepse përndryshe nuk do kishim kurrë
zgjidhje origjinale por replikim të një sekuence deterministe.
Shtetet moderne të ngritura mbi kushtetuta urdhëruese, synojnë të zgjidhin
konfliktet në mënyrë institucionale dhe të harmonizojnë vizione të ndryshme
të botës ekonomike, sociale, politike etj. Martesë që jo gjithmonë rezulton
pa zënka.
Shteti shqiptar si shumë të tjerë pas rënies së diktaturës, vendosi të
ngrihet mbi kushtetutshmërinë si një tentativë për të mbajtur bashkë
vizionin liberal me vizionin demokratik. Shteti i së drejtës kërkon
pikërisht që e drejta të disiplinojë politikën me kusht që kjo e fundit të
disiplinojë ekonominë. Për këtë arsye, krijimi i shteti social, u pa si
përgjigje realiste, ndaj ekstremizmit liberalist dhe atij komunist. (in
medio stat virtus) Kështu një shoqëri liberal-demokratike nuk mjaftohet
vetëm me të drejtat civile por përfshin dhe të drejtat politike, sociale
dhe ekonomike si kusht për garantimin në praktikë të lirisë dhe barazisë.
Të drejtat e para kanë destinatar individin, të dytat qytetarin dhe
shoqërinë.
Për një shoqëri që do të jetojë në paqe – thotë Arendt – sfera private dhe
publike duhet të jenë në harmoni e të mos uzurpojnë njëra tjetrën.
Por çfarë thamë më sipër, i përket planit normativ dhe jo atij përshkrues
të realitetit. Dhe ky realitet sot është shumë më i gjerë se realiteti i
një shteti.
Shqipëria dhe Kosova, nuk jetojnë më të izoluara por të janë të përfshira
në një globalizëm të shfrenuar, ku ato që qarkullojnë nuk janë vetëm
kapitali dhe mallrat por dhe influencat gjeopolitike dhe ideologjitë
imponuese.
Mendimi main stream që udhëheq procesin e globalitarizmit është pikërisht
neoliberalizmi ose triumfi i financës globale përballë realiteteve
shtetërore, të cilët dorëzojnë përditë pjesë të sovranitetit. Demokracitë
janë procese që kryhen brenda shtetit (nuk ka popull global), prandaj dhe
ato shihen si problematike. Lojtarët e financës globale preferojnë
elitizmin përballë demokracisë, ekzekutivin përballë parlamentarizmit,
liderin përballë kolegjialitetit të partisë. Duhet që vendimmarrja të jetë
e shpejtë, e parashikueshme dhe uniforme, gjë që sigurisht nuk garantohet
nga proceset demokratike sepse populli mund të thotë dhe "JO!".
Vërshimi i këtij vizioni sigurisht krijon deformime të gjithë jetës
politiko-ekonomike dhe ekuilibrave të parashikuara në Kushtetutë. Shqipëria
apo Kosova nuk janë të imunizuara nga këto influenca. Aktorët
ndërkombëtarë, si ShBA, BE nuk kërkojnë asnjëherë zgjerimin e demokracisë,
rritjen e rolit vendimmarrës të qytetarëve me referendume, primare, recall
të mandatit por kërkojnë perfeksionimin e elitës dhe zgjidhjen e
problemeve nga brenda sistemit hermetik.
Shtrova këto premisa, për të kuptuar "Zeitgeist", shpirtin e kohës ku
jetojmë sot, si çdo studjues që ruan një përqasje kritike dhe jo
deterministe si natyrore të fenomeneve shoqërore si dhe për të qenë i
sinqertë me interpretimin e istituteve juridike.
Në kushtet kur demokracitë e vendeve tona janë të rrethuara nga tendenca
oligarkike, zgjidhja besoj se është zgjerimi i demokracisë dhe jo i
partitokracisë, rritja e vendimmarjes qytetare dhe jo liderit, rritja e
rolit të parlamentit dhe jo ekzekutivit, përdorimi i sistemeve
proporcionale dhe jo mazhoritare, listat e hapura dhe jo ato të bllokuara.
Prandaj diskutimi i sistemit elektoral duhet të kryhet duke pasur parasysh,
Kushtetutën formale dhe materiale të vendit si dhe aspiratat e një
populli. Pas rënies së komunizmit, sundimit të oligarkisë së Nomeklaturës
për 45 vite, shqiptarët kërkuan demokratizimin e vendit. Por përsëri
shqiptarëve iu tha se mjaftonin të votonin çfarë partia vendoste, se
pluralizmi partiak dhe ndarja e pushteteve mjaftonte. Shqipëria sot
përpëlitet përsëri ne autokraci sepse raportet nuk rregullohen me anë të së
drejtës por mbi atë forcës në duar të pak njerëzve me pushtet.
Ështe iluzion se oligarkia do vetëpërmirësohet dhe do heqë dorë nga
privilegjet që ka krijuar për një pakicë. Demokracia u shpik që populli të
ketë nën kontroll makinën shtetërore në mënyrë që të drejtat e tij mos të
rrezikoheshin nga elitat sot partiake, finaciare etj.
Pa patur parasysh të gjithë kuadrin, diskutimi mbi istitute juridike të
veçanta nuk kuptohet, ashtu si kundër nuk kuptohet se përse tek ne lista të
hapura apo të mbyllura nuk sjellin rezultate kaq të ndryshme.
Përdorimi i listave të mbyllura ëshët model dominant për vendet e Amerikës
latine (si dhe Portugalisë apo Spanjës) por jo për vendet evropiane, të
cilët zbatojnë formula të ndryshme.
Në Gjermani psh. ligji federal sanksionon "parimin e përfaqësimit
proporcional kombinuar me zgjedhjen personale të kandidatëve" (sistem
proporcional i personalizuar). Zgjedhësi shpreh preferencën për një
kandidat në bazë të një sistemi mazhoritar (Erststimme) dhe me një votë të
dytë vendos për një listë të një force politike (Zweitstimme). Në vendimin
e saj 9 nëntor 2011, Gjykata Kushtetuese gjermane rikonfirmoi vendimin e
1957, duke pranuar listat e bllokuara sepse brenda demokracive partiake nuk
prekin lirinë e votës dhe automatizmin mes zgjedhjes së qytetarit dhe
përcaktimin e deputetit.
Të tjera gjykata kushtetuese te vendeve të ndryshme janë shprehur së
fundmi për pranimin ose jo të listave të mbyllura. Pavarësisht
përfundimit, këto gjykata nuk mjaftohen me institutin në fjalë, por shohin
në përgjithësi realitetin e vendit, demokratizimin e partive, kontrollin
efektiv të kapitalit në garën partiake, funksionimin e sistemit të
drejtësisë etj. Në një prononcim, edhe Komisioni i Venecias nuk është
kundër zbatimit të listave të mbyllura, por ka theksuar se: "zbatimi i
listave të mbyllura në vende pa demokraci partiake dhe korrupsion të gjerë"
përbëjnë rrezik për jetën politike.
Besoj se një përqasje e tillë duhet bërë edhe për vendet tona, para se të
biem peng i zgjidhjeve të thjeshta, slloganologjisë dhe tifozerisë për një
sistem apo tjetrin.
Me të drejtë thuhet se listat e hapura janë natyrore të një demokracie
përfaqësuese, të ngritura mbi besimin dhe kontrollin që krijohet nga
raporti i drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe përfaqësueseve të tij. Por në
kushtet shqiptare kjo përkthehet me klientelizëm dhe fushata personale
korruptive dhe kriminale.

Po cila është zgjidhja? Futja e listave të mbyllura, prishja e këtij
raporti të lirë dhe të drejtpërdrejtë mes popullit dhe politikës dhe
delegimi ndaj rolit emancipues të partisë si në komunizëm? A jemi të
sigurtë që partitë organizohen në mënyrë demokratike apo janë shndërruar në
brigada plaçkitëse të res publica?

Vendet tona nuk kanë korrupsion të zakonshëm por ato akuzohen për
korrupsion dhe krim të organizuar deri në nivelet më të larta shtetërore.
Pra ky lloj krimi dhe korrupsioni ka nevojë për një strukturë piramidale.
Zgjidhjet elitiste mund të vlejnë për vendet e civilizuara (ku funksionon
drejtësia dhe demokracia e brendshme paritake) dhe jo për oligarkët
shqiptarë, të interesuar që vendimmarrja të përqendrohet gjithmonë në pak
duar si kanë bërë këto vite.

Kushtetuta shqiptare nuk është më ajo që shqiptarët votuan me referendum në
1998. Futja e listave të mbyllura ishte vetëm njëri prej mekanizmave të
këtij vizioni oligarkik, që shoqëroi përçudnimin e Kushtetutës dhe
përqendrimin e pushtetit në pak duar. Nxjerrja jashtë kushtetutës dhe
militantizmi i KQZ-së, zgjedhja e presidentit të Republikës nga një forcë e
vetme, fuqizimi i figurës së Kryeministrit, sistemi elektoral që vë në
rresht partitë e vogla, jo vetëm që janë atentat ndaj demokracisë por dhe
pengmarrje e ekonomisë së lirë.

Listat e mbyllura i dhanë mundësi "liderrrit" të partisë të shtinte në dorë
partinë, dhe bashkë me të parlamentin dhe bashkë me të sundimin e vendit,
politikës, ekonomisë, medias me anë të ekzekutivit. Deputetët jo vetëm që
zgjidhen falë "bujarisë" së shefit të partisë në lista të bllokuara, por
si pasojë ata do noterizojnë çfarë ai ka vendosur, nëse duan të vazhdojnë
karrierën politike. Ngjarjet e fundit e konfirmojnë këtë gjë ku ka alergji
nga mendimi ndryshe. Nga ana tjetër listat e mbyllura, jo vetëm që nuk ulën
por rritën përfaqësimin e botës së krimit në parlament sepse krimi nuk
është përjashtim por rregull për organizimin e jetës politike dhe ekonomike
të vendit mbytur në monopole klientësh dhe paligjshmëri.

Me të drejtë flitet për qarkullim elitash por kjo duhet të ndodhe nëpërmjet
kanaleve demokratike (elite=eligere, të zgjedhura/jo emëruara) dhe jo
klonimit sipas shëmbëlltyrës së "elitës" ekzistuese modeluar pas figurës së
"udhëheqësit të ndritur". Si pasojë e kësaj, klasa politike aktuale është e
mbërthyer nga mediokriteti, korrupsioni dhe militantizmi sepse elitat e
vërteta nuk pranojnë të futen nëpër parti "pactum subiectionis" por vetëm
në parti "pactum unionis".

Ideja tjetër se politika kryhet më mirë në nivele epërore sesa nga një
discursus i hapur dhe demokratik – si thotë Habermas – nuk i përgjigjet
realitetit, sepse Shqipërisë nuk i kanë munguar programet fantastike në
letër por vullneti i tyre për ti zbatuar në praktikë. Pjesëmarrja
demokratike e gjerë detyron pikërisht vullnetin e shtetarëve të jetë i
togëzuar me interesin publik dhe jo atë elitist. Pra diskutimi duhet të
përqendrohet mbi demokratizimin, llogaridhënien dhe transparencën e
vendimeve.

Nga ana tjetër, natyra e partive politike është instrumentale, përderisa
ato janë në shërbim të qytetarëve, subjekte themelorë të demokracisë.
Kështu para se të flasim për më shumë pushtet të partive (falë listave të
mbyllura) duke çnatyrizuar rolin e tyre nga përpunues dhe ndërmjetësues të
vullnetit popullor në zëvendësues të politikëbërjes, duhet të flasim për
demokratizimin e tyre. Futja e primareve brenda partive, zgjedhja dhe
shkarkimi të çdo strukture drejtuese jo nga lart por nga poshtë, kufizimi i
mandateve në vetëm 2, do të ishin disa hapa për dehermetizimin, çmontimin e
çdo tendence oligarkike dhe demokratizimin e tyre.

Kurse ndalimi i lidhjeve të krimit me politikën bëhet a monte, duke ndarë
kapitalin nga politika, duke bërë transparente dhe konfiskuar pasuritë e
pushtetarëve dhe familjeve të tyre dhe jo në fund të procesit, atu krijohet
lidhja mes popullit dhe përfaqësuesve të tij. Po sigurisht klasa politike
në Shqipëri dhe Kosovë nuk mund të sharrojë degën ku ka hipur dhe po e
vjel.

Sa i përket politikave të barazisë gjinore, kujtojmë studiuesin e madh të
sistemeve, Luhmann, kur thotë se: "shoqëritë emancipohen nga poshtë por
degradohen nga sipër". Mendimi se me listat e mbyllura do zgjidhen më shumë
gra në parlament është një realitet sa zhgënjyes aq dhe fyes. Betejat për
të drejtat nuk maten me kile dhe numra. Sa gra dhe vajza shqiptare ndihen
sot të përfaqësuar nga "femrat e shefit të partisë" që shërbejnë si
dekorime firmato të oligarkëve me pushtet?

Këtu nuk bëhet fjalë për emra të përveçëm, por për sistemin që promovon
antivlerat në polikë, ekonomi, akademi dhe kudo. Deri sa pushteti të mbetet
në duar të një oligarkie, gjërat kanë pak gjasa të ndryshojnë pavarësisht
ndryshimeve kozmetike-juridike.

Ajo që duhet bërë është instalimi i atyre instituteve që sigurojnë
qarkullimin e njerëzve dhe higjienizimin e sistemit, hapjen demokratike dhe
jo mbylljen e tij, çmontimi i oligarkëve, reduktimi i rolit të partive dhe
rritjes së rolit të vendimmarrjes qytetare me referendume, demokratizimi i
partive, çmilitantizmi i KQZ, rishikime të mandateve në çdo kohë, rritja e
parlamentarizmit dhe kufizimit të ekzekutivit, rritja e kolegjialitetit dhe
kufizimi i liderrrshipit, kufizimi i çdo mandati shtetëror apo partiak në
vetëm dy, transparencës proaktive, pranimi se politikbërja nuk është zanat
por shërbim dhe e drejtë që i garantohet çdo qytetari sipas meritës,
kushtetutshmëria e pushtetit të medias që të punojë për informimin dhe jo
dizinformim, por mbi të gjitha kontrollit të kapitalit në politikë.

Besoj se këto janë reformat që duhet të kishin realizuar vendet tona prej
kohësh, ashtu si më parë kanë realizuar vendet e tjera të civilizuara. Por
sot këto reforma janë në kundërshtim me mendimin dominant të "elitave"
kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prandaj si ndodh gjithmonë kur sovraniteti i popullit uzurpohet, është
vetëm populli që mund ta rimarrë atë, sigurisht nëse lejohet të bëhet
popull dhe nuk mbetet i atomizuar dhe i fragmentizuar nga përçarje të reja
dhe të përmotshme.






PhD, Ledian Droboniku

Bashkëthemelues i "ShqipON"
Lihat lebih banyak...

Comentários

Copyright © 2017 DADOSPDF Inc.